PALËT: Shoqëria Tregtare APR SH.P.K. – Asistencë e Përgjithshme Rrugore (tani e tutje APR), dhe
Kontraktuesi me të dhënat si në pjesën e parë, pjesë e kësaj Kontrate (tani e tutje Klienti), janë pajtuar si vijon:
Neni 1
Objekti
Mbulesa e Asistencës Rrugore
Pakoja
“APR Europe” përfshin këto shërbime:
1. Asistencë duke filluar që nga defektet e vogla si: ndezja e veturës në rast të mungesës së rrymës (asistimi me kabllo).
2. Asistencë në ndërrimin e gomës ose të ndonjë defekti të vogël që mund të mënjanohet në vend, furnizim me karburant, etj. (me ç’rast pajisjet rezervë, karburanti, vaji ose materiali tjetër mbulohet nga klienti).
3. Asistencë në rastet e defekteve ose aksidentimit të automjetit deri në servisin më të afërt për riparimin të veturës.
4. APR merr përsipër të ofroj asistime 2 (dy) herë brenda 1 ( një) abonimi për këto shërbime dhe Klienti ka të drejtë që t’i kërkojë vetëm për automjetin me të dhënat pjesë e kësaj Kontrate.
Neni 2
Juridiksioni i Pakos APR EUROPE
1. Klienti është abonuar në pakon “APR EUROPE” e vlefshme për territorin e te gjitha vendeve anëtare të BE-së, gjithashtu edhe vendeve si Britania e Madhe, Zvicra, Norvegjia, Lihtenshtajni, Andor- ra, Monako, San Marino, Vatikani, Bosnje dhe Hercegovina si dhe Turqia (pjesa europiane).
2. Për asistimet në territorin e Republikës së Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë, zbatohen rregullat ( kushtet) e Pakos APR Plus (pra nuk vlejnë kushtet e Pakos APR Europe).
Pako Plus - Kushtet e Kontratës (në këtë link mund t’i lexoni kushtet e Pakos APR Plus).
Neni 3
Riparimi ose riatdhesimi i automjetit
1. Në rast se automjeti nuk mund të rregullohet në vend, APR-ja i dërgon pasagjerët dhe veturën deri në servisin më të afërt për riparim të veturës.
2. Nëse asistenca kryhet natën ose serviset janë të mbyllura, APR-ja i mbulon shpenzimet deri në 100 (njëqind) Euro për parkingun e veturës.
3. Në rast se riparimi i defektit në veturë kushton deri në 1000 (një mijë) Euro, APR e mbulon 50 % të shumës së faturës, ndërsa pjesën tjetër të faturës dhe çdo shumë që kalon mbi 1000 (njëmijë) Euro e mbulon Klienti.
4. Në rast së shpenzimet e riparimit kalojnë vlerën mbi 1000 (një mijë) Euro, Klienti vendos ta riparojë veturën ose ta rikthejë atë në Kosovë. Për rikthimin e veturës në Kosovë APR-ja i mbulon shpenzimet e transportit deri në 1000 (një mijë) Euro, ndërsa pjesa mbi ketë vlerë mbulohet nga Klienti.
5. APR organizon transportin për bartje të veturës dhe rikthimi realizohet brenda 21 ditëve.
6. Klienti e mbështet APR-n me dokumentet e nevojshme për rikthim të veturës në Kosovë.
Neni 4
Të drejtat dhe detyrimet
1. Klienti ka të drejtë të kërkojë, kur shfaqet nevoja për shërbimet si në nenin 1 (një) të kësaj Kontrate dhe APR ka për detyrim t’i ofrojë ato shërbime 24/7 në përputhje me kushtet e kësaj Kontrate.
2. Klienti ka të drejtë në mbulesë të shpenzimeve të hotelit deri në shumën prej 150 (njëqindepesëdhjetë) Euro në rastet kur vetura nuk rregullohet brenda ditës ose asistimi është kryer jashtë kohës së shërbimit të serviseve, si dhe të zgjedh njërin nga shërbimet e cekura në nënparagrafet 2.1, 2.2 dhe 2.3 si në vijim:
2.1 mbulesë e shpenzimeve të shërbimeve të taxi-it deri në shumën prej 100 (njëqind) Euro me TVSH.
2.2 mbulesë e shpenzimeve të Rent a Car deri në shumën prej 150 (njëqind e pesëdhjetë) Euro me TVSH.
2.3 mbulesë e shpenzimeve për bileta të aeroplanit apo trenit deri në shumën prej 150 (njëqind e pesëdhjetë) me TVSH.
3. Klienti ka të drejtë që me rastin e shitjes së automjetit ta bartë abonimin në veturën tjetër të tij/saj dhe atë vetëm 1 (një) herë. Në këtë rast shërbimet do të ofrohen pas 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga data e njoftimit dhe do të vlejë deri në përfundimin e kësaj Kontrate.
4. APR nuk është e detyruar t’i ofrojë shërbimet nga pika 1 (një) e kësaj Kontrate nëse Klienti nuk e përdorë automjetin në pajtim me destinimin e tij, drejtuesi me dashje shkakton dëm ose sjell situatën ku duhet të kërkoj asistencë (p.sh. gara në terrene malore, futja e qëllimshme në baltë ose dëborë, etj.).
5. APR nuk është e detyruar të ofrojë shërbime që nuk janë pjesë e kësaj Kontrate ose kur vetura ka dalë nga rruga (ka rënë në humnerë ose të ngjajshme), dhe rikthimi i automjetit në rrugë nuk mund të bëhet me auto-bartje por nevojitet vinç i veçantë.
Neni 5
Koha e ofrimit të shërbimeve
1. APR obligohet që nga momenti i pranimit të kërkesës për asistim, të ofrojë asistencë brenda 3 (tre) orëve në kushte normale atmosferike dhe rrugore.
2. Nuk konsiderohet shkelje e kontratës kur përmbushja e detyrimit është bërë e pamundur për shkak të ngjarjes për të cilën nuk është përgjegjëse APR-ja, ngjarje të tilla si, por duke mos u kufizuar në: fuqi madhore (vis major), trazira, sulme terroriste, greva, etj.
Neni 6
Privatësia
APR-ja i trajton të dhënat e dërguara nga klienti në përputhje me ligjin i cili mbulon fushën e të dhënave personale.
Neni 7
Mënyra e pagesës së shpenzimeve
Pagesa për mbulesën e shpenzimeve për Klientin realizohet drejtpërdrejt nga APR-ja ose parapaguhet nga Klienti dhe kompensohet nga APR-ja sipas kushteve të Kontratës duke u bazuar në faturat e rregullta të sjellura nga Klienti.
Neni 8
Mosmarrëveshjet
1. Klienti ka të drejtë ankese pranë APR-së në rast se nuk i ofrohen shërbimet sipas Kontratës.
2. Në rast të mosmarrëveshjeve eventuale që mund të lindin gjatë zbatimit të kësaj Kontrate, Palët kontraktuese do të provojnë t’i zgjidhin me bisedim dhe mirëkuptim. Nëse kjo nuk arrihet, Palët kanë të drejtë t’i drejtohen gjykatës kompetente në Republikën e Kosovës.
Neni 9
Shkëputja e Kontratës
APR ka të drejtë ta shkëpusë këtë Kontratë në qoftë se Klienti mashtron lidhur me realizimin e shërbimeve (p.sh., ofron informacione të rreme, fsheh faktorë të rëndësishëm ose shfaq sjellje të tjera që shkelin besueshmërinë e Kontratës).
Neni 10
Hyrja në fuqi
Me nënshkrimin e kësaj Kontrate, Palët pajtohen që kjo Kontratë të hyjë në fuqi 24 (njëzet e katër) orë pas nënshkrimit dhe të zgjatë 365 (treqind e gjashtëdhjetë e pesë) ditë nga hyrja e saj në fuqi.